ORCA: 40 profesorë jomeritorë pritet të marrin kontrata të përhershme

ORCA: 40 profesorë jomeritorë pritet të marrin kontrata të përhershme

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA alarmon për situatën e jashtëzakonshme në procesin e avancimit të profesorëve në Universitetin e Prishtinës.

Sipas kësaj organizate, në mbledhjen e caktuar për datën 31 maj 2017, ditën e mërkurë, Senati ka planifikuar që t’i çojë në proces të avancimit 45 profesorë për t’iu dhënë atyre gradën e fundit dhe të përhershme akademike, atë të profesorit të rregullt.

ORCA shpreh shqetësimin me raportet pozitive që janë dhënë për 43 nga 45 kandidatët.

“Për 40 kandidatë nuk është dëshmuar se i plotësojnë kriteret e Statutit të UP-së nga neni 175, pika 1.2.1 ku kërkohen të paktën 5 punime shkencore; ose nga pika 1.2.7e cila kërkon udhëheqje të temave të master dhe doktoratës. Ndërsa, për 3 të tjerë nuk ka evidenca të mjaftueshme se i plotësojnë kriteret e Statutit të UP-së nga neni 175, pika 1.2.7 e cila kërkon udhëheqje të temave të master dhe doktoratës”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

“Moszbatimi i kritereve në këtë rast do të prodhojë 43 profesorë të cilët do të kenë kontrata të përhershme dhe ndaj të cilëve nuk do të kërkohet më punë shkencore, që do të thotë se 43 profesorët e graduar pa i përmbushur kriteret nuk do të jenë më subjekt i asnjë shqyrtimi profesional, akademik dhe etik”, thuhet më tej aty.

Kjo situatë, sipas ORCA-s, e çon Universitetin e Prishtinës dhe kualitetin e arsimit brenda tij drejt një shkatërrimi sistematik i cili do të prodhojë një katastrofë arsimore, profesionale e akademike në vend.

“Rikujtojmë se Universiteti i Prishtinës është bartësi kryesor i arsimit të lartë në Kosovë dhe se e ardhmja shkencore dhe profesionale e vendit varet nga ky universitet”, thuhet në komunikatë.

ORCA i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që përmes mekanizmave të saj ligjor të sigurohet që ligjet e vendit dhe Statuti i UP-së i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të zbatohen në përpikëri.

“ORCA thërret shoqërinë civile dhe organizatat studentore për mobilizim dhe vigjilencë ashtu që në Universitetin e Prishtinës të mos instalohen njerëz jokompetentë në pamundësi për t’i kontestuar më. ORCA do t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat ligjor dhe institucional përpara marrjes së veprimeve të tjera demokratike për parandalimin e dukurive të tilla negative”, përfundon reagimi./Insajderi.com