Ka reaguar një organizatë kibernetike kundër emërimit të Zafir Berishës si Koordinator Shtetëror për Siguri Kibernetike, njofton Insajderi.
Në reagimin e kësaj organizate thuhet se Berisha nuk ka kualifikim dhe se nuk është adekuat për këtë pozitë.
“REAGIM: Sense CRC është e shqetësuar ndaj lajmit për emërimin e Zafir Berishës – Zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës – si Koordinator Nacional për Siguri Kibernetike dhe Menaxhimin e Emergjencave.”, thuhet në komunikatë.
“Sipas analizës sonë, besojmë se Berisha, i cili vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate, nuk është i përgatitur në mënyrë profesionale dhe nuk posedon ekspertizë të mjaftueshme për të adresuar çështjet relevante të sigurisë kibernetike në Republikën e Kosovës siç janë:
- Identifikimi dhe reduktimi i kërcënimeve;
- Ofrimi i mbrojtjes për qytetarë, shërbime, infrastrukturë kritike ose sektorë jetik
- Zgjerimi dhe fuqizimi i kapaciteteve kibernetike;
- Ngritja e qëndrueshmërisë apo aftësive ripërtëritëse;
- Sigurimi për menaxhimin e krizës në mënyrë efektive.
Kjo fushë në vend ka ende mangësi fondamentale dhe ka një rrugë të gjatë zhvillimi për krijimin e procedurave dhe strategjive të reja ashtu që të sigurohet mbrojtja kibernetike në nivel shtetëror. Si e tillë, ka nevojë për persona kompetent, praktikë e cila momentalisht nuk po aplikohet në pozitat me përgjegjësi të lartë.
Kosova ka mjaft kapacitete për nga resurset njerëzore në këtë lëmi; andaj, si organizatë do të kërkojmë llogari dhe ndryshime vazhdimisht ashtu që këto pozita të rëndësishme të ju besohen personave me potencial për të bërë ndryshimet e duhura.”, thuhet tutje.
Ndryshe, Berishës sot i është thyer llogaria e tij në Facebook disa orë pas emërimit në pozitën e re./Insajderi.com