Murat Jashari me “Liri Atdheut” dyshohet se kërkoi para nga bashkatdhetarët për vrasjen e tradhtarëve

“Liri Atdheut” është emri i organizatës të cilën e ka krijuar Murat Jashari. Insajderi ka siguruar dokumente interne të cilat tregojnë se institucionet e sigurisë dyshojnë se kjo organizatë ka mbledhur edhe fonde për të “ndihmuar vrasjen e tradhtarëve”.

Murat Jashari me “Liri Atdheut” dyshohet se kërkoi para nga bashkatdhetarët për vrasjen e tradhtarëve

Institucionet e sigurisë në Kosove dyshojnë se Murat Jashari, ka themeluar një organizatë të quajtur “Liri Atdheut”, e cila ka planifikuar aksione për vrasje të atyre që i ka cilësuar tradhtar.

Kjo organizatë, sipas raporteve të institucioneve të sigurisë, dyshohet se ka mbledhur para nga bashkatdhetarët në Zvicër.

Raportet e siguruara nga Insajderi tregojnë për aktivitet e dyshimta të kësaj organizate.

Raportet hedhin dyshime se pjesë e kësaj organizate janë njerëz që kanë qenë drejtues dhe udhëheqës të së ashtuquajturës Armata Kombëtare Shqiptare, e cila me vendim të ish-shefit të UNNIK-ut në vitin 2008 ishte shpallur organizatë terroriste, pas një sulmi me eksploziv në një hekurudhë në veri të Mitrovicës

Një prej drejtuesve të kësaj është edhe Gafurr Adili.

Adili njihet si themelues dhe drejtues i të ashtuquajturës Fronti për Bashkim Kombëtar të Shqiptarëve që u bë i njohur për publikun, kur doli Armata Kombëtare Shqiptare. Ai ka dhënë me dhjetra intervista për media të ndryshme, në të cilën tregon se i njeh anëtarët e kësaj organizate.

Madje në kanalin “Fronti Shqipëria” në Youtube, Gafurr Adili paraqitet edhe si një prej themeluesve të kësaj organizate.

Sipas raporteve që ka siguruar Insajderi, dyshohet se përveç Murat Jasharit edhe Gafurr Adili është një  ndër themeluesit e organizatës “Liri Atdheut”.

Por, bazuar në këto raporte,  me grumbullimin e parave më shumë është marrë vet Murat Jashari, i cili gjatë komunikimit me bashkatdhetar, sipas dëshmive që ka siguruar Insajderi, citohet tu këtë thënë atyre se u duhen para, për të realizuar aksionet e tyre në mars të 2017-es.

Ai citohet të ketë thënë se në “diasporë janë mbledhur shumë Avni Rrustema dhe se u duhet ndihmë për këto aksione”.

Ndërkohë, vet presidenti Thaçi foli të mërkurën mbrëma për një organizatë të ashtuquajtur “Syri i Popullit” – që mori përgjegjësi për atentatin ndaj Azem Vllasit por që nuk ka lidhje me organizatën “Liri Popullit” –  për të cilën tha se lista të cilën e ka “Syri i Popullit”, përbëhet nga 26 personalitete por nuk ka përmendur asnjë emër.

Ai ka treguar se ajo listë është e përbërë me emra të njohur personalitetesh të cilët janë liderë politikë, komandantë të luftës së fundit, gazetarë, opinionistë, e deri tek personalitete jo edhe aq të njohura.

“Në listë janë 26 njerëz të cilët, sipas kësaj organizate terroriste, duhet të ekzekutohen. Aty janë liderë të ndryshëm politikë të Kosovës, bartës të luftës së fundit, gazetarë, opinionistë e komandantë të ndryshëm të luftës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se pjesë e kësaj liste janë edhe prijës fetarë të ndryshëm dhe personalitete që kanë ndihmuar në shtetformim të këtij vendi./Insajderi.com