Organizata SKV paralajmëron padi ndaj policisë

Organizata SKV paralajmëron padi ndaj policisë

Studentët e organizatës studentore ‘SKV’, sot kanë protestuar para stacionit policor në Prishtinë, pas ngjarjes së mbrëmshme ku Policia e Kosovës kishte ndërprerë një aktivitet të kësaj organizate dhe kishte arrestuar disa aktivistë.

Përfaqësuesit e kësaj organizate në fjalën e tyre para medieve kanë treguar se kanë bërë kërkesë për leje, që të shfrytëzojnë hapësirat e Komunës së Prishtinës, për të zhvilluar aktivitetet e tyre.

Megjithatë ata thonë se nuk kanë marrë leje, por  tregojnë se as nuk u është refuzuar leja.

“ Për të dyja këto aktivitete kishim dorëzuar me kohë kërkesën për leje. Rreth orës 22 janë paraqitur dy oficerë të policisë të cilët kanë kërkuar dokumentin për leje, dhe uljen e zërit të muzikës. Më pas përsëri kanë ardhur edhe policë të tjerë. Studentët janë rrahur në mënyrë brutale pa asnjë arsye nga Policia. Madje pa qenë të provokuar nga studentët. Në fund një nga policët nga drejtoi edhe armën “ ka thënë përfaqësuesja e kësaj organizate, shkruan Periskopi.

Flamur Pireva përfaqësues tjetër i kësaj organizate, ka thënë se ndërhyrja e mbrëmshme e Policisë së Kosovës ishte e paramenduar.

Ai ka thënë se do të ngrisin padi ndaj policëve të cilët kanë përdorur dhunë mbrëmë, dhe kanë bërë thirrje për lirimin e aktivistëve.

“Ndërhyrja ishte e porositur dhe mirë e paramenduar, ndaj përgjegjësinë për këtë ngjarje ia vejmë drejtorit të Policisë dhe kryeministrit Ramush Haradianj. Asnjë substancë e dyshimtë nuk është përdorur gjatë atij aktiviteti. Do të ngrisim padi ndaj këtyre policëve që kanë përdorur dhunë mbrëmë, dhe ndaj atyre që kanë dhënë urdhër. Bëjmë thirrje për lirimin e aktivistëve dhe ndaljes së represionit politik ndaj nesh. Kjo nuk është hera e parë që policia ndërhyn ndaj nesh”, ka deklaruar Pireve.