Ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, ka njoftuar për hapjen e Zyrës tregtare në kuadër të ambasadës që e përfaqëson, për të rritur bashkëpunimin midis Kosovës dhe Italisë në fushën e investimeve dhe eksportit, njofton Insajderi.
Orlando këtë e bëri të ditur gjatë takimit me drejtorin e përgjithshëm të KIESA-s, Hajriz Koca.
Kështu thuhet në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të Kosovës, ku flitet për këtë takim.
“Ambasadori Orlando e njoftoi për hapjen e Zyrës tregtare në kuadër të Ambasadës së Italisë në Kosovë për të rritur bashkëpunimin në mes të dy vendeve në fushën e investimeve dhe eksportit. Ai gjithashtu theksoi se mundësitë për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Italisë janë të mëdha dhe duhet të intensifikohen edhe më shumë. Në fund të takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për intensifikimin e bashkëpunimit në rritjen e promovimit të investimeve dhe eksportit, si dhe angazhimin për të krijuar marrëdhënie ekonomike në mes kompanive kosovare dhe italiane”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com