Ose votohet buxheti, ose bllokohemi

Sipas njeriut të dytë në Ministrinë e Financave të Kosovës, nëse ky parlament nuk e voton buxhetin për vitin 2021, atëherë vendi do të futet në një krizë financiare, meqë do ketë bllokadë buxhetore. Kushtrim Brahimaj, zëvendësministri i Financave, përmes një statusi në Facebook ka treguar për pasojat ekonomike që mbartë në vete mos-votimi i buxhetit për vitin që po vjen.

Ose votohet buxheti, ose bllokohemi

Zëvendësministri i Financave, Kushtrim Brahimaj, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se buxheti i vitit 2021 duhet të votohet, sepse ndryshe do të ketë bllokadë buxhetore në vitin 2021, njofton Insajderi.

“Nëse nuk miratohet buxheti nga kjo legjislaturë, në muajin mars 2021 Kosova do të futet në Bllokadë Buxhetore nga e cila pëson sektori publik, sektori privat dhe i gjithë sistemi ekonomik i vendit”, ka shkruar Brahimaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Kjo bllokadë nga muaji mars do t’i lë pa paga nëpunësit e sektorit publikë, pa pagesa përfituesit e skemave pensionale dhe sociale, do të pamundësohen pagesat e punëve publik të cilat dëmtojnë direkt sektorin privat, do të bllokohen komunat që të përmbushin planet e tyre gjatë vitit të ardhshëm”.

Po ashtu, zëvendësministri ka shtuar se mosmiratimi i buxhetit nga kjo legjislaturë do të shkaktojë probleme serioze në menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe “do të krijojë vonesa në blerjen e vaksinës kundër COVID-19 dhe do ta vonojë implementimin e tërësishëm të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike”.

“Kuvendi i ri dhe Qeveria e re që derivojnë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme e kanë mundësinë ligjore që në çdo kohë ta plotësojnë dhe ndryshojnë Buxhetin e vitit 2021, sipas planeve dhe objektivave të tyre qeverisëse”./Insajderi.com

Image may contain: 1 person, standing