Anulimi i tri procedurave tenderuese nga komuna e Skenderajt ka bërë që Organi Shqyrtues i Prokurimit të gjobisë komunën me 5 mijë euro. Përvec gjobës OSHP ka kërkuar edhe anulimin e licencës së menaxherit të prokurimit të komunës. Zyrtarë të zyrës së prokurimit thanë për Insajderin se procedurat për tre tenderët kanë filluar që nga viti 2017, por që kanë vazhdur edhe gjatë këtij viti ndërsa mjetet finaciare për to më nuk ekzistojnë.
Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik e ka gjobitur komunën e Skenderajt me 5 mijë euro për shkak të anulimit të tre tenderëve.
OSHP ka marrë këtë vendim pasi ka konstatuar se janë bërë shkeljet në tenderin e rikonstruktimin e rrugës Rezallë-Likoc, ndërtimin e kanalizimit fekale në fshatrat Likoc – Abri –Murgëm dhe asfaltimin e rrugës Kuçicë – Ternav.
Përvec gjobës Gjykata e Tenderëve ka kërkuar edhe anulimin e licencës së menaxherit të prokurimit, shkruan Insajderi.
Vendimi i OSHP-së është marrë me 19 shtator ndërkohë që komunës i është dhënë afat 15 mbëdhjetë ditë për ta paguar gjobën. Por në një përgjigje për Insajderin nga zyra e Prokurimit në këtë komunë e konsideron vendimin si të pabazuar.
“OSHP-ja nxjerr një vendim tjetër ku gjobitet komuna me 5.000,00 dhe kërkohet anulimi i licencës së Menaxherit të prokurimit cka ne konsiderojmë se nuk është i bazuar dhe do të ankohemi në organet përkatëse, do t`i shfrytëzojmë të gjitha të drejtat tona ligjore”, thuhet në përgjigje.
Ankesat e tre operatorëve
Operatori Ekonomik N.N “R&Rukolli” – Skenderaj është ankuar në OSHP më 13 gusht kundër njoftimit për anulimin e tenderit “Rikonstruktimin e rrugës Rezallë-Likoc”.
Pas shqyrtimit të ankesës OShP-së ka konstatuar se Komuna e Skenderajt me rastin e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurim dhe procedurave për anulimin e tenderëve.
“Paneli shqyrtues gjithashtu ka konstatuar se për shkelje të procedurave ligjore nga ana e autoritetit kontraktues dhe për shkak se nuk ka kërkuar me kohë që operatorët ekonomikë të vazhdojnë validitetin e ofertave do të ndërmarrë masa komfor nenit 23.9 dhe 131 të LPP-së”, thuhet në vendimin e OShP-së.
Në rastin tjetër operatori “Graniti COM shpk & NN Infra Plus”- Skenderaj ishte ankuar me 16 gusht kundër njoftimit për anulim, lidhur me tenderin “Ndërtimi i kanalizimit fekale në fshatra Likoc-Abri-Murgë” të iniciuar nga Komuna e Skenderajt.
Paneli shqyrtues i OShP-së ka konstatuar se komuna me rastin e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit nuk iu ka përmbajtur ligjit të prokurimit dhe procedurave për anulimin e këtij tenderi.
“Paneli shqyrtues gjithashtu ka sqaruar se edhe nëse do të rikthehej në rivlerësim ky aktivitet i prokurimit, rezultati do të ishte i njëjtë (anulim i aktivitetit të prokurimit), pasi që operatorët ekonomikë nuk kanë validitet të ofertave. Prandaj ka vendosur që të mbetet në fuqi anulimi i këtij aktiviteti të prokurimit me qëllim që nëse planifikohet që i njëjti aktivitet i prokurimit të ritenderohet, atëherë mos të humbet kohë, sepse janë në pyetje interesat e qytetarëve”, thuhet në vendimin e OShP-së.
Në tenderin e tretë “Asfaltimi i rrugës Kuçicë – Ternav”, konsorciumi “Graniti Com” shpk & “Saba Belca” Dega në Kosovë & “ISPE Group”, u ankëkua lidhur me vendimin e komunës.
Pasi e shqyrtoi ankesën OSHP konstatoj se edhe në këtë rast komuna ka bërë shkeljet e njëta të ligjit të prokurimit.
“Edhe pse në bazë të fakteve dhe argumenteve që ka pasur në dispozicion paneli shqyrtues, rezulton se është përmbushur njëri nga kushtet e nenit 44.7 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik, sepse asnjë tender nuk është i përgjegjshëm, në mungesë të vlefshmërisë së ofertave”, thuhet në vendim.
Komuna: Paratë e destinuar për këto tenderë nuk ekzistojnë më
Komuna e Skenderajt në një përgjigje për Insajderin ka sqaruar rastet e anulimit të tenderëve për të cilat vendime u gjobit me 5 mijë euro gjobë nga Gjykata e Tenderëve. Ka thënë se këto aktivitet të prokurimit kanë filluar që nga prilli i vitit të kaluar.
“Janë pranuar ofertat për këto tendera janë themeluar komisionet e vlerësimit janë shpallur fituesit janë ankuar OE në OSHP-ë. (Kjo ka zgjatë 4-5 herë ankesa në OSHP-ë). Këto projekte janë shpallur në periudhën prill-qeshor 2017 dhe kanë vazhduar deri në vitin 2018”, thuhet në përgjigje.
Për më tepër zyra e prokurimit ka thënë se mjetet financiare të dëstinuara për këto tender nuk ekzistojnë më pasi që kanë kaluar në buxhetin qëndror.
“Mjetet financiare të parapara për vitin 2017 për këto projekte kanë kaluar në buxhetin e Kosoves tash për tash nuk ekzitojnë ato mjete. Ju ka skaduar afati i sigurimit të ofertave, kemi bërë përpjekje dhe i kemi kërkuar OE t`i vazhdojnë këto sigurime por nuk janë vazhduar me përjashtim të një OE.(dmth ofertat nuk janë valide).
“Komuna Skenderajt ka bërë një kërkesë në OSHP-ë që të aulohen këto procedura. OSHP-ja i ka anuluar këto procedura me një vendim. Kanë ankuar OE kundër vendimit për anulim të OSHP-së”, thuhet në përgjigjen e komunës. /Insajderi.com