Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24 marsin e vitit 1999 kur filluan bombardimet e NATO-s në Kosovë, duke thënë se kjo datë ka shënuar kthesë të madhe për fatin e këtij populli, përcjell Insajderi.
Në një postim në Facebook, Osmani ka shkruar se kur pushteti serb po synonte shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Aleanca e NATO-s, vendosën të parandalojnë një gjë të tillë duke i dhënë fund regjimit gjenocidal të Serbisë.
“Sot e përherë, i jemi mirënjohës pafundësisht të gjithë grave e burrave të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Sot e përherë, i jemi mirënjohës të gjithëve që u rreshtuan në anën e drejtë të historisë. Pa kontributin tuaj, liria për ne do të ishte e pamundur”.
“Ne rilindëm, për ta ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi premisën e lirisë dhe një shtet të bazuar në premisën e barazisë qytetare!”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
Osmani tutje është shprehur se kjo datë duhet të kujtohet “me shikimin e qartë kah e ardhmja”. E sipas saj, e ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në NATO./Insajderi.com
Sot është Dita e Shpresës!
24 marsi 1999 shënoi kthesë të madhe për fatin tonë – kjo ditë shënoi rikthimin e shpresës…
Posted by Vjosa R. Osmani on Wednesday, March 24, 2021