Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të rrezikshme iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, duke thënë se e vonon integrimin evropian të rajonit.
Sipas saj, Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme dhe e duhur për avancimin e rajonit.
Këto deklarata Osmani i ka bërë të mërkurën, në një bashkëbisedim në Rrjetin për Politikë të Jashtme në Gjermani.
Në fjalimin e saj, ka kritikuar Serbinë duke e quajtur shtetin e vetëm që destabilizon rajonin e që s’u përmbahet atyre që i nënshkruan.
“Një diplomat dikur pati thënë se me Serbinë ke dy lloj negociatash, që ta bindësh të nënshkruajë dhe më pas ta implementojë. E dyta është më e rëndë se e para. Besojmë që Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme”.
Kosova ka refuzuar që të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”, emri i së cilës iu ndryshua muajin e kaluar pasi quhej “Minishengeni”.
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, vazhdimisht ka thënë se duhet të fillohet me bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri, për të vazhduar pastaj tutje./Insajderi.com