Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me homologun e saj nga Austria, Alexander Van der Bellen, në Vjenë është deklaruar rreth dialogut Kosovë-Serbi, njofton Insajderi.
Pas këtij takimi, në një konferencë të përbashkët me presidentin austriak, Osmani tha Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se nuk mund të luajë me dy karta, Evropën dhe Rusinë, duke shtuar se duhet zgjedhur se cila është rruga e vërtetë.
Ajo shtoi se Serbia ka kryer krime lufte për të cilat nuk është ndarë drejtësi. Osmani thotë se për këto krime nuk ka kërkimfalje, drejtësi e as pendesë nga ana e Serbisë.
“Unë i bëj thirrje (presidentit serb Aleksandar) Vuçiqit që të paktën të vendosë një lule në Batajnicë. Historia ka dëshmuar se çdo herë kur ka pasur luftë, parakusht për paqe të qëndrueshme ka qenë vendosja e drejtësië. Prandaj ne kërkojmë drejtësi, kërkojmë që të kthehen eshtrat e të pagjeturve. Do të insistojmë në drejtësi për gjatë procesit. Për ne, zgjidhja është njohja reciproke, sepse është e domosdoshme. Asnjë zgjidhje tjetër nuk do të sillte paqe. BE-ja duhet të jetë e qartë me Serbinë, që ajo nuk mund të luaj me dy karta edhe me Rusinë edhe me BE-në. Duhet të zgjedhë se cila është rruga e saj e vërtetë. Në momentin që BE-ja është e qartë me Serbinë edhe sa i përket eliminimin e influencës ruse dhe njohjen e Kosovës, atëherë do të ketë zgjidhje”, ka thënë ajo.
Sipas saj, tavolina e dialogut është për t’i zgjidhur çështjet si ajo e të zhdukurve, për eliminimin e barrierave tregtare por sipas saj, zgjidhja përfundimtare është njohja reciproke.
Osmani ka thënë që dialogu kurrë nuk ka qenë për statusin e Kosovës. Ajo shton se ata që përfitojnë nga ky proces duhet të jenë qytetarët.
“Nganjëherë ato që quhen marrëveshje historike para qytetarëve nuk zbatohen e shumë herë nuk janë as edhe në interes të qytetarëve”, ka thënë ajo. /Insajderi.com