Osmani: BE të jetë e zëshme që Serbia t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel

Osmani: BE të jetë e zëshme që Serbia t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se në takimin e sotëm të mbajtur me Komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka kërkuar që BE të jetë e zëshme në raport me Serbinë, në mënyrë që ky shtet t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, njofton Insajderi.

Ajo tutje tha se procesi i integrimit në BE është ndër qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, duke konfirmuar vullnetin e institucioneve të vendit dhe të gjithë qytetarëve për avancim të mëtutjeshëm në këtë proces.

“Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se mungesa e ambicies ose angazhimit nga secila palë në procesin e integrimit evropian do të thotë që mbështetja dhe besimi i qytetarëve në rrugën e integrimit në BE mund të dëmtohet”, ka potencuar ndër të tjera Osmani.

Ajo ka ritheksuar faktin se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kriteret formale për liberalizimin e vizave për zonën Schengen. Madje, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi, teksa kërkoi edhe ndihmën e Komisionit Evropian për t`i bindur shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. /Insajderi.com