Pishman

Osmani: “Besimi në Isa Mustafën është gabimi im më i madh – ai s’ka njerëzillëk”

Vjosa Osmani e Isa Mustafa vetëm para një viti shkuan bashkë në zgjedhje duke ia dëshiruar fitoren LDK-së. Tash, të dy, dëshirojnë që ta kthejnë kohën prapa për ta zhbërë atë që ka ndodhur. Isa Mustafa sepse mendon që Osmani është fajtore për humbje në zgjedhje. Vjosa Omsani sepse mendon që besimi në Isa Mustafën ishte gabimi më i madh i saj në jetë.

Osmani: “Besimi në Isa Mustafën është gabimi im më i madh – ai s’ka njerëzillëk”

Mashtrues, devijues, ndryshues qëndrimesh dhe tregtar parimesh, janë vetëm disa nga etiketat që Vjosa Osmani ia ka dhënë Isa Mustafës, kryetarit të partisë së saj.

Kryetarja e Parlamentit dhe anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës duke komentuar në Facebook, në një luftë komentesh me Mustafën, ka thënë se “ai s’ka njerëzillëk”, njofton Insajderi.

“Gjithçka mund të gjesh tek Isa Mustafa si tipar: mashtrimin, devijimin, ndryshimin e qëndrimeve sa hap e mbyllë sytë, tregtinë me parime etj, por nuk mund të gjesh asnjë pikë njerëzillëku”.

Reagimi i Osmanit, vjen pas atij të Mustafës, i cili e bëri fajtore Osmanin për humbjet e zgjedhjeve të fundit.

Sipas Mustafës, LDK-ja pësoi pasi Osmani tentonte ta kopjonte Albin Kurtin.

Por, Osmani thotë se ajo ia solli rezultatin më të mirë LDK-së në 15 vjetët e fundit, ndërsa shkruan se dikur i besonte Mustafës siç beson prindërit e saj.

“I kam besuar, siç i beson dikush prindit të vet, si në vitin 2014, poashtu më 2019, kur më premtonte çdo ditë se nuk do ta braktisë rrugën që e nisëm bashkë dhe ata të cilët vetë Mustafa i cilësonte ‘banda mafioze’, do t’i largojmë nga udhëheqja e shtetit”.

Ky besim i dhënë për njëshin e partisë, Osmani pohon se mbase është gabimi më i madh që ka bërë në politikë.

“Unë mund të kem bërë gabime në rrugën time politike, por asnjëherë me qëllimin që ta shkelë interesin qytetar. Megjithatë, gabimi më i madh në jetën time është që i besova Isa Mustafës. Madje këtë gabim e bëra për herë të dytë, me shpresën se ai nuk do të kthehej përsëri tek idhujt e tij politik në PDK & Co”.

Osmani ka sfiduar Mustafën që të dal tash pa të e të provojë a mund t’i fitojë zgjedhjet.

“Meqë sipas tyre unë ua paskam humbur zgjedhjet (me dallim 1%), le të urdhërojnë tash e të dalin para qytetarëve pa mua (meqë më përjashtuan) e le të fitojnë! Çka po i ndalë tash?! Le të dalin e le të kërkojnë votë për atë që vërtetë përfaqësojnë: patericë e kapësve të shtetit”.

Ajo shkrimin e saj të gjatë në Facebook e ka përfunduar me një kërkim falje për qytetarët “të cilëve ju kam kërkuar votën me besimin e thellë se LDK-ja e Mustafës nuk do të shndërrohet në mashtruese recidiviste”./Insajderi.com