Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Osmani, kryeministrin Plenkoviq e ka dekoruar me medaljen presidenciale “Shën Tereza”, me motivacionin për kujdesin, shpejtësinë e reagimit, solidaritetin dhe humanizmin e shtetit kroat në rastin e aksidentit tragjik të 25 korrikut të këtij viti në afërsi të Sllavonski Brodit, kur humbën jetën 10 qytetarë të Kosovës dhe u lënduan 26 të tjerë, shkruan Insajderi.com.
Me të njëjtën medalje, Osmani, dekoruar edhe Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit në shenjë falënderimi për përkujdesjen ndaj të lënduarve në aksidentin e ndodhur në autostradë më 25 korrik të këtij viti.
Në takim me kryeministrin Plenkoviq, presidentja e Kosovës i ka vlerësuar të shkëlqyeshme marrëdhëniet me shtetin kroat dhe është angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre.
Gjithashtu, ajo ka falënderuar Plenkoviqin edhe për mbështetjen që shteti i tij i ka dhënë Kosovës me një sasi vaksinash anti-COVID.
Më tej, Osmani ka theksuar se roli i Kroacisë për Kosovën është si partner strategjik rajonal dhe njëherësh edhe si mbështetëse e rrugës evropiane të vendit tonë. Ajo ka përmendur se të dy shtetet kanë intensifikuar bashkëpunimin në fushën e integrimit evropian.
Sipas presidentes, dialogu më Serbinë duhet të marrë fund me njohjen e ndërsjellë, teksa ka hedhur poshtë çfarëdo ideje, e cila synon trajtim jo të barabartë të Kosovës në kontekstin rajonal.
Aktualisht Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar rreth 30 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi./Insajderi.com