Osmani dhe Konjufca në Makoc: Vrasjet dhe ekzekutimet që u bënë këtu – akt i qartë i gjenocidit të Serbisë

Osmani dhe Konjufca në Makoc: Vrasjet dhe ekzekutimet që u bënë këtu – akt i qartë i gjenocidit të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe në nderim të 22 vjetorit të të rënëve në fshatin Makoc të Prishtinës, transmeton Insajderi.

Osmani tha se ndërgjegjia e popullit nuk do të jetë e qetë derisa të arrihet drejtësi për të vrarët në luftën e fundit në Kosovë.

“Sot përkujtohet dita e dëshmorëve të Prishtinës e veçanërisht martirëve të Gollakut të cilët rreth 19 dhe 23 prillit ishin viktima të regjimit gjenocidal serb, i cili edhe njëherë e tregoi mizorinë e tij duke mos kursyer as fëmijët e moshës 7-vjeçare e deri te pleqtë e moshës 98 vjeçare”, ka thënë ajo.

“Edhe sot nga këtu të gjithë s’bashku e ngrisim zërin në kërkesën tonë të drejtë, në kërkesën tonë për drejtësi të viktimave të gjenocidit sepse ndërgjegjja jonë si popull asnjëherë nuk do të jetë e qetë përderisa nuk do të ketë drejtësi për secilën nga viktimat e luftës në Kosovë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët që ranë për vendin tonë”, tha presidentja Osmani.

Ndërkaq, kryeparlamentari Konjufca tha se vrasja dhe ekzekutimi që u bë në Makoc është akt i qartë i gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës.

“Jemi këtu që të nderojmë dëshmorët dhe martirët e Makocit dhe Gollakut gjatë kësaj kohe në vitin 1999, 22 vjet më parë regjimi gjenocidal i shtetit të Serbisë që i vrau dhe ekzekutoi mbi 115 martirë të kësaj treve. Ky është një akt i qartë i gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptarë të Kosovës – pra qëllimi ishte shfarosja e popullit tonë meqenëse nuk u kursyen as fëmijët, gratë e pleqtë” tha Konjufca.

“Pas kësaj që ndodhi për 22 vjet me radhë nuk ka pasur drejtësi, për këta martirë të cilët u vranë prej regjimit të shtetit serb dhe për institucionet e Kosovës është përgjegjësi e çdo përfaqësuesi institucional të Republikës tonë që të bëjë gjithçka që është e mundur ashtu që drejtësia të vije në vend meqë as këta martirë nuk mund të prehën të qetë e as zemrat e familjarëve që i dhanë më të dashurit e tyre të jenë të qeta përderisa kriminelët të mos e vuajnë dënimin e tyre për të gjitha këto krime të gjenocidit që i kanë shkakuar në Kosovë”, përfundoi ai. /Insajderi.com