Osmani: Dialogu duhet të rezultojë me marrëveshje të detyrueshme

Osmani: Dialogu duhet të rezultojë me marrëveshje të detyrueshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të premten se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me marrëveshje të detyrueshme, njofton Insajderi.

Sipas saj, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia i hapë perspektivë rajonit për integrim në Bashkimin Evropian.

Këto deklarata ajo i bëri në takim me nënsekretarin e Shtetit për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Ministrinë e Jashtme të Finlandës, Kai Sauer, derisa këtë të fundit e njohu me përgatitjet dhe qasjen e institucioneve të vendit për dialog me Serbinë.

Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që Serbia të tregojë gatishmëri për dialog dhe që t’i jepet prioritet çështjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

“Presidentja Osmani e falënderoi Sauer për kujdesin e vazhdueshëm të tij, të qeverisë së tij dhe të popullit finlandez për afirmimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani e njohu diplomatin finlandez me rolin e institucioneve të reja të Kosovës në promovimin e mëtejmë të shtetësisë së Kosovës, si dhe me sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe i tërë rajoni, sidomos gjatë pandemisë Covid-19”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkaq, sa i përket integrimit të vendit në BE, “Osmani e përsëriti edhe një herë qëndrimin e Kosovës se integrimet euroatlantike janë përcaktim yni strategjik dhe ritheksoi gatishmërinë e Kosovës që të lëvizë sa më shpejt që të jetë e mundur drejt këtij synimi”.

“Bashkimi Evropian është zgjedhja jonë, por edhe përkatësia jonë”, tha ajo. “Kushtet e vëna për integrim në BE ne i trajtojmë para së gjithash si synime të cilat duam t’i përmbushim për mirëqenien e qytetarëve tanë”, tha ajo, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, nënsekretari i Shtetit Kai Sauer, siç bëhet e ditur në njoftim, e uroi Osmanin për zgjedhjen në postin e presidentes së vendit dhe e siguroi atë se shteti i Finlandës do ta vazhdojë, sikur edhe deri më tash, ta përkrahë shtetin e Kosovës në aspiratën e popullit të tij për integrim në BE./Insajderi.com