Osmani: Do ta marr vaksinën anti-COVID kurdo që të jetë e disponueshme

Osmani: Do ta marr vaksinën anti-COVID kurdo që të jetë e disponueshme

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do ta marrë vaksinën anti-COVID’19 kurdo që ajo të jetë në dispozicion, njofton Insajderi.

Ajo ka shtuar se prioritet mbetet vaksinimi i personelit shëndetësor dhe personave të moshuar që bëjnë pjesë në grupin më të rrezikuar nga Coronavirusi.

“Sapo që ajo vaksinë të jetë e disponueshme edhe për ne si qytetarë që e kemi kaluar COVID-19, natyrisht që do ta marr vaksinën. Prioritet mbi prioritete e kemi vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, personave mbi moshën 65 vjet dhe atyre me sëmundje kronike. Kurdo që institucionet shëndetësore vlerësojnë që edhe ne të tjerët mund ta kemi vaksinën e disponueshme do ta marr vaksinën, sepse siç është konfirmuar në shtetet më të zhvilluara të botës i mbron qytetarët nga ky virus shumë i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm”, ka thënë Osmani.

Kështu u shpreh ajo në një konferencë për media pas vizitës së bërë në Klinikën Infektive, ku tutje ka thënë se institucionet e Kosovës janë vonuar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19.

“Unë kam diskutuar me një numër të madh të partnerëvë tanë ndëkrombëtarë të cilët kanë ofruar ndihmën e tyre që një kohë të gjatë, përfshirë BE-në të cilët e kanë futur Kosovën në Covax Initiative. Mendoj që kemi vonesa të cilat nuk do të duhej të arsyetoheshin. Shtetet e tjera të rajonit janë para nesh. Duhet dhe do të kërkojmë përgjegjësi nga qeveria pse nuk jemi të përgatitur dhe pritet që sipas të gjitha gjasave vaksinat të vijnë dikur tek pas muajit prill”, u shpreh ajo.

“Kjo nuk do të thotë që tash nuk janë duke u bërë edhe përpjekje të tjera maksimale në mënyrë që të marrim ndihmën e disa shteteve të BE-së, sidomos disa që kanë porositur më shumë vaksina sesa numri i popullatës së tyre. Do të kërkojmë ndihmë nga këto shtete të cilat kanë shtesë të vaksinave në mënyrë që edhe qytetarët tanë të pajisen me to më herët sesa muaji prill”.

“Për mirëmbajtjen e tyre duhen kushte të veçanta, prandaj kemi kërkuar dhe do të kërkojmë nga institucionet shëndetësore që t’i krijojnë këto kushte. Do ta japim përkrahjen e plotë për çkado që nevojitet”, ka thënë Osmani. /Insajderi.com