“Osmani e Abdixhiku të tregojnë që s’janë vegël e Kurtit”

“Osmani e Abdixhiku të tregojnë që s’janë vegël e Kurtit”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duhet të tregojnë që nuk janë “vegël” e Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar të enjten ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, njofton Insajderi.

E për ta dëshmuar këtë, sipas Selimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Abdixhiku duhet të japë nënshkrimin për referimin e çështjes së Valdete Dakës në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq “presidentja s’duhet ta bllokojë procesin”.

“Edhe Lumiri si kryetar i partisë por edhe Vjosa si Presidente duhet të tregojnë se nuk janë vegël e VV. Lumiri duhet të japë nënshkrimet për referim të çështjes Daka në Kushtetuese e Presidentja nuk duhet ta bllokojë nëse beson fuqishëm se ka vepruar sipas kushtetutës. Le të vendos arbitri kulmor, Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar ai në Facebook.

E nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, Selimi është shprehur se “atëherë Lumiri është bërë vegël e VV dhe Presidentja nuk beson në kushtetutshmërinë e vendimeve të saj”.

Valdete Daka është shkarkuar të hënën nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me arsyetimin se ka cenuar integritetin e zgjedhjeve. Opozita ka kundërshtuar këtë vendim duke e cilësuar sit ë kundërligjshëm. Madje, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se rastin do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese./Insajderi.com