Osmani e Hoti janë pajtuar për largimin nga puna të shefit të AKI-së

Osmani e Hoti janë pajtuar për largimin nga puna të shefit të AKI-së

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, kanë pasur koordinim dhe dakordim të plotë për lirim nga detyra të drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashi, njofton Insajderi.

Madje, Osmani ka kërkuar nga Hoti që sa më parë të dakordohen rreth udhëheqësit të ri të kësaj agjencie.

Kështu kanë bërë të ditur nga Zyra e Ushtrues së Detyrës së Presidentes.

“Ka pasur koordinim dhe dakordim të plotë ndërmjet u.d. Presidentes, dr.Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Hoti sa i përket lirimit nga detyra të drejtorit të AKI-së . U.d Presidentja ka kërkuar nga Kryeministri që sa më parë të dakordohen rreth udhëheqësit të ri të AKI-së, mbi bazën e profesionalizmit, paanësisë politike dhe integritetit”, ka konfirmuar për Gazetën Online Insajderi, Bekim Kupina, këshilltar për Media i u.d. presidentes.

Sipas Ligjit për Agjencinë e Inteligjencës 03/L 063, emërimi si dhe shkarkimi i shefit të AKI-së bëhet në koordinim mes presidentit të vendit dhe kryeministrit.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të enjten ka njoftuar se i ka kërkuar shefit të Inteligjencës kosovare, Kreshnik Gashi, që ta lirojë pozitën e tij, por pa dhënë më shumë detaje. Ndërkohë, as Gashi akoma nuk ka bërë ndonjë deklarim publik lidhur me këtë çështje./Insajderi.com