Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, bashkë me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë mëngjesit të sotëm bënë homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit, njofton Insajderi.
Në 24 vjetorin e rënies së tij, Osmani tha se Pajaziti ishte figurë që organizoi celulat e para të Republikës së Kosovës, të UÇK-së kundër okupatorit serb, i cili kishte për qëllim shfarosjen e shqiptarëve.
“Nuk duhet të harrojmë asnjëherë as largpamësinë e tij, as vizionin e tij, e mbi të gjitha trimërinë dhe qëndrueshmërinë e tij para një shteti të tërë, i cili kishte për qëllim që shqiptarët t’i zhdukte nga faqja e dheut”, ka thënë ajo, shkruan kp.
Ndërsa, kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti, tha se Zahir Pajaziti bashkë me luftëtarët e tjerë ishin të vendosur dhe njerëz të aksionit.
“Zahir Pajaziti ishte bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën ranë në një pritë para 24 vjetëve, atëherë kur po e organizonin luftën çlirimtare që do të ngjajë më pas. Dhe ata ishin njerëz të qetë, të vendosur, të mprehtë, njerëz të aksionit. Pra, kushtrimi çlirimtar i luftëtarëve të pa epur, është i sublimuar pikërisht, këta tre heronj e në veçanti te Zahir Pajaziti”, ka thënë Kurti. /Insajderi.com