Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin e sotëm me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është deklaruar rreth procesit të integrimit, për çka tha se Bashkimi Evropian duhet ta ketë një strategji të qartë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Kosova, njofton Insajderi.com.
Në këtë takim u diskutua edhe për situatën në Veri për çka Osmani ka kërkuar “që i gjithë faktori ndërkombëtar të dënojë tendencat e Serbisë për destabilizim”.
Siç bëhet e ditur me nga Zyra e Presidentes, Osmani për këtë çështje ka shtuar se vonesat në këtë process e zbehin kredibilitetin e BE-së.
Tutuje u bë e ditur se temë diskutimi ishte edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, për çka Osmani ka thënë se “vendi ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar që BE-ja t`i mbajë premtimet ndaj Kosovës dhe që shtetet anëtare të BE-së ta respektojnë rekomandimin e Komisionit Evropian”.
Në këtë takim nuk la pa u diskutuar edhe situata aktuale politike në vend, me theks të veçantë në veriun e vendit ku prej disa ditësh ka nisur zbatimi i reciprocitetit me targa me Serbinë, si masë e barabartë e trajtimit të palëve.
“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vetëm po e përmbush një aspekt ligjor dhe se nuk ka asnjë tendencë nga pala kosovare për ta tensionuar situatën e sigurisë. Përkundrazi, sipas Presidentes Osmani një tendencë e tillë, po shpërfaqet hapur nga pala serbe, e cila e ndikuar edhe nga qarqet ruse po përpiqet të shkaktojë destabilizim në gjithë rajonin e Ballkanit”, thuhet tutje në njoftimin e presidencës. /Insajderi.com