Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre të vendit, Vjosa Osmani, tha të shtunën në Junik se nëpërmes fryrjes së listave të veteranëve të luftës me klientë politikë, janë fyer të gjithë luftëtarët e vërtetë në Kosovë.
“Junikas, ju e keni ndier në lëkurën tuaj, kur një kastë njerëzish të veshur me petkun e të pushtetshmëve, e kanë fyer rezistencën tuaj, duke i mbushur listat me klientë të tyre e jo me luftëtarë të vërtetë. I kanë fyer luftëtarët e vërtetë që janë në Junik dhe në të gjithë Kosovën. Me respektin më të thellë, do ta njohim dhe do ta respektojmë vetëm luftëtarin e vërtetë të lirisë dhe kurrsesi jo klientelën e atyre që janë të lidhur me krim e me korrupsion”, theksoi ajo.
Po ashtu, Osmani pohoi se LDK-ja nuk e ka përvetësuar e nuk do ta përvetësojë luftën çlirimtare.
“Mes nesh ka luftëtarë të shquar që ju i njihni mirë, në betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kemi Anton Qunin dhe shumë të tjerë, të cilët nuk kanë rrahur gjoks, as atëherë, as sot, por gjithnjë kanë dëshmuar se janë të gatshëm t’i dalin zot Kosovës, edhe tash kur prej nesh po kërkohet t’i mundim ata që po e rrezikojmë Kosovën, me krim dhe me korrupsioni”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila u zotua se do të punonte me përkushtim për ta çuar në vend amanetin e dëshmorëve për një Kosovë të lirë dhe të zhvilluar që e admirojnë miqtë tanë, për një Kosovë që bashkëpunon me SHBA-të dhe BE-në.
Osmani është shprehur e bindur se banorët e Junikut do ta ndihmojnë fitoren e thellë të LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit. “Lidhja jonë është aq e fortë, sepse bazohet në besim dhe do ta bëjmë të pamposhtur sikur kullat e Junikut. Përderisa të tjerët ndjellin frikë, ne mbjellim shpresë, përderisa të tjerët shantazhojnë e kërcënojnë, ne kërkojmë besim. Përderisa të tjerët mendojnë se mund të blihet vullneti i qytetarëve, ne ua kemi dëshmuar me Ibrahim Rugovën e do t’ua dëshmojmë më 6 tetor që nuk ka gjë që e blen atë vullnet”, ka thënë Vjosa Osmani.
Kandidatja për kryeministre të Kosovës nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, gjithashtu tha se LDK-ja është alternativa e vetme për qeverisje të ndershme, e vetmja që e ka seriozisht për ta luftuar krimin dhe korrupsionin dhe për vendosjen e rendit dhe ligjit.
Shefi i shtabit zgjedhor dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, duke iu drejtuar të pranishmëve në tubimin elektoral në Junik, tha se LDK-ja është më e bashkuar se kurrë dhe më e vendosur se kurrë për fitore dhe për ta ndryshuar gjendjen në Junik dhe në tërë Kosovën.
“Do ta rikthejmë LDK-në në atë që kemi besuar dhe dashur gjithmonë. Kur të bëhet Vjosa kryeministre, do të ketë ndryshime të mëdha në Junik dhe në të gjithë Kosovën”, theksoi Haziri.