Osmani fton sot partitë për konsultim rreth datës së zgjedhjeve nga ora 13:00

Osmani fton sot partitë për konsultim rreth datës së zgjedhjeve nga ora 13:00

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar për sot t’i ftojë partitë politike për konsultim rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, pas vendimit të Kushtetueses se Qeveria Hoti ishte zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme.

Këtë e kanë bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi nga zyra për komunikim e Osmanit.

“Partitë politike do të ftohen nesër nga u.d. Presidentja Osmani për ta diskutuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë për redaksinë, Bekim Kupina, zëdhënës për media i presidentes.

Pas konsultimit me subjektet politike që do të fillojë nga ora 13:00, pritet të shpallet edhe data e zgjedhjeve, jo më larg se 40 ditë, sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur mbrëmë pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, e që zyrtarisht vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, më 3 qershor.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ajo po ashtu ka konstatuar se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses. /Insajderi.com