Osmani: Hoti nuk guxon të sillet në mënyrë arrogante me institucionet tjera

Osmani: Hoti nuk guxon të sillet në mënyrë arrogante me institucionet tjera

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë  se kryeministri Avdullah Hoti nuk guxon të sillet në mënyrë arrogante me institucionet tjera, njofton Insajderi.

Këto komente Osmanii i bëri emisionin Desku të KTV-së, ku tha se është e gatshme të komunikojë me kryeministrin për çdo temë në interes të vendit.

“Kam shprehur gatishmëri ta takoj për dialogun, dhe jo vetëm një herë, por disa herë dhe jo vetëm si kontakt me njëri-tjetrin, por edhe publikisht, dhe jo vetëm për dialogun, por edhe për tema të tjera. Këtë gjë e përsërita në seancën e fundit, sepse mendojë që pavarësisht se mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, nuk është dialogu çështje që ne si institucione të Kosovës guxojmë të lejojmë dallime kaq të mëdha. Ndoshta nuk mund të arrijmë pajtim për 100 për qind të çështjeve, por vetëm për një nëse arrijmë, ia vlen të ketë komunikim institucional. Ajo që ka bërë zoti Hoti është e pafalshme, sepse nuk guxon të sillet në mënyrë aq arrogante me institucionet tjera, por edhe me partitë tjera që për momentin nuk janë pjesë e qeverisë, sepse në fund do të përfundojë me duar në xhepa pa arritur diçka që mund t’i kalojë në Kuvend”.

Më pas Osmani ka folur edhe për dialogun që po zhvillohet në Bruksel dhe për rolin që i është dhënë koordinatorit shtetëror, Skender Hyseni, ku shtoi se Hoti tjetër gjë po flet para Kuvendit e tjetër në Bruksel.

“Nuk mund të paraqesë komplet një pikturë tjetër në Bruksel rreth asaj që po ngjan, e komplet tjetër në Kuvendin e Kosovës. Ne i përcjellim ato që i thotë para Parlamentit Evropian, i përcjellim deklaratat e z. Lajçak, i cili në mënyrë transparente tregon çka është diskutuar brenda, kurse z. Hoti del në Kuvend e na thotë që Skender Hyseni nuk ka asnjë kompetencë negociuese, e pas një ore del z. Lajçak dhe thotë se Hyseni ka negociuar në nivel me Marko Gjuriqin. Pra negociatat po ndodhin, edhe në nivel të Hysenit”./Insajderi.com