Osmani i kërkon presidentit të Kostarikës të lobojë për njohjen e Kosovës

Osmani i kërkon presidentit të Kostarikës të lobojë për njohjen e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar homologut të saj nga Kostarika, Carlos Alvarado Quesada, të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Me Alvarado Quesada, ajo është takuar në vazhdën e takimeve me liderë botërorë, në margjina të sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA) në New York.

Osmani e ka falënderuar që shteti i tij ishte ndër të parët që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se pret mbështetjen e këtij shteti edhe në përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

“Në këtë kontekst, Osmani ka theksuar se në dialog me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se epilogu i tij duhet të jetë njohja e ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe konform rendit juridik të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, Presidentja Osmani është ndalur edhe të mundësitë e bashkëpunimit ndërshtetëror me Kostarikën dhe ka theksuar se të dy vendet duhet t’i promovojnë mundësitë e tregtisë dhe investimeve.

Presidenti i Kostarikës, ndërkaq, ka shprehur admirimin e tij për “përparimin e shpejtë të Kosovës dhe ka nënvizuar gatishmërinë e tij për të lobuar gjithandej për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit shtetëror të Kosovës”./Insajderi.com