Platforma dhe politika e vetme e atyre që i takojnë politikës së vjetër, është ideologjia e mashtrimit.
Kështu është shprehur kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, e cila tha se ideologjia e vetme të cilës ata i besojnë është vendosja e interesave të tyre në rend të parë.
Osmani ka shtuar se me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe liderin Albin Kurti, ishin dakorduar për program qysh në Qeverinë Kurti 1.
Ajo tha se 90 për qind e programit të LDK-së, ku Osmani në zgjedhjet e kaluara ishte bartëse e listës, ishte pranuar atëbotë në koalicionin qeverisës të arritur me LVV-në.
“Pikërisht ai program ka shërbyer si bazë për të rindërtuar këtë partneritet”, ka thënë Osmani në KTV.
Ajo ka thënë se fusha themelore e partneritetit është luftimi i krimit e korrupsionit.
“Vullneti që shohim te Lëvizja Vetëvendosje e në veçanti te zoti Kurti na shtynë të besojmë se ky partneritet jo vetëm që do të funksionojë, por do të plotësohen gjitha zotimet që po ia japim qytetarëve”, ka shtuar Osmani./Insajderi.com