Osmani: Integriteti e profesionalizmi i prokurorëve – garanca që e kërkojmë të gjithë

Osmani: Integriteti e profesionalizmi i prokurorëve – garanca që e kërkojmë të gjithë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se prokurorët përveç profesionalizmit duhet të kenë integritet dhe besueshmëri te qytetarët, njofton Insajderi.

Kështu u shpreh ajo në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ku tutje tha se Integriteti, profesionalizmi e vetëmohimi i prokurorëve është garanca që e kërkojmë të gjithë në Republikën e Kosovës.

“Integriteti, profesionalizmi e vetëmohimi i prokurorëve tanë është garanca që e kërkojmë të gjithë në Republikën e Kosovës. Duke u nisur nga parimi se të gjithë jemi të barabartë para ligjit, pikërisht edhe puna jonë në institucione duhet të jetë e bazuar në këtë maksimë, për të na shërbyer si udhërrëfyes në punën tonë të përditshme. Zbatimi i këtij parimi është sidomos i domosdoshëm në punën tuaj, prokurorë të nderuar. Intoleranca juaj për shkelësit e ligjit, kushdo e kudo qofshin ata, është ajo cfarë të gjithë qytetarët tanë presin nga ana juaj. Prandaj, edhe njëherë dua t’u ofroj tërë mbështetjen time në këtë drejtim”, është shprehur Osmani.

Ajo po ashtu tha se përkundër angazhimit dhe rezultateve të mira, nga miqtë ndërkombëtarë ende vazhdojnë të vijën rekomandime për përmirësim të përformnacës në sistemin e drejtësisë. /Insajderi.com