Osmani: Jam në bisedime për formimin e një “Iniciative Qytetare”

Osmani: Jam në bisedime për formimin e një “Iniciative Qytetare”

Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ajo është në bisedime me njerëz që aktualisht janë jashtë politikës, për të formuar një “Iniciativë Qytetare”, siç e ka quajtur ajo – pasi ajo beson se njerëzit më të mirë të shoqërisë tonë, nuk janë të përfshirë në politikë.

Jemi duke diskutuar në ndërtimin e një iniciative qytetare, e cila do të bashkojë njerëzit që kanë integritet dhe profesionalizëm. Këto janë dy kritere të thjeshta. Nuk është se jemi duke parë si opsion të vetëm riciklimin e figurave aktuale publike, sepse thellë besoj se njerëzit më të mirë i kemi jashtë politikës. Njerëzit më të mirë i kemi në sektorin privat, në shoqëri civile, i kemi deri diku në botën akademike, janë njerëz të rinj shumë prej tyre me integritet, ata që duhet ta kenë mundësinë t’u hapen dyert e institucioneve për ta dhënë një kontribut. Të kemi një lloj freskimi me njerëz me integritet e profesionalizëm, brenda institucioneve, në Kuvend e Qeveri e gjetiu. Jemi në këtë proces, por për momentin ende janë faza fillestare e diskutimeve të idesë”, ka deklaruar Osmani për DESKUN në KTV, transmeton Insajderi

Vjosa Osmani, aktualisht, është vetëm anëtare e thjeshtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas shkarkimit që i është bërë asaj nga strukturat udhëheqëse të kësaj partie.

Është përfolur një aderim i mundshëm i saj në Lëvizjen Vetëvendosje, por duket se Osmani, ka diçka tjetër në mendje./Insajderi.com.