Osmani: Jemi lodhur nga politikanë që tregojnë mosdurim ndaj familjeve të viktimave e tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë

Osmani: Jemi lodhur nga politikanë që tregojnë mosdurim ndaj familjeve të viktimave e tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh edhe kryeparlamentare, ka reaguar ndaj deklaratave të djeshme lidhur me krimet e luftës së fundit në Kosovë të kryera nga Serbia, njofton Insajderi.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, dje ka thënë të mos përdoren temat tepër të ndjeshme për qëllime të ulëta politike, për çka Osmani me anë të një postimi në Facebook, ka reaguar.

U.D. e presidents së vendit thotë se është një e vërtetë prej të cilës nuk duhet lodhur kurrë, “e vërteta e Kosovës, është e vërtetë e dhimbjes, sakrificës, humbjes së më të dashurve, e vërtetë e nënave që humbën fëmijët, e vërtetë e fëmijëve që mbetën pa prindër, e vërtetë e familjarëve që panë tmerrin me sy, e shpëtuan pikërisht për të treguar këtë tmerr, siç thoshte edhe At Zef Pllumi: ‘Rrno për me tregue’”, ka shkruar Osmani.

Ajo tutje ka thënë se Serbia kërkon që të shtyhet zhvarrosja e trupave në Rashkë, sepse dëshiron të vazhdojë të fshehë krimin, duke shtuar se fshehja e fakteve është krim në vete, ndaj sipas saj, çfarëdo vonese në këtë plan është krim i dyfishtë.

“Veprimet gjenocidale të Serbisë në Kosovë ende nuk kanë marrë përgjigje. Pranimi i fajit, kërkimfalja dhe vendosja e drejtësisë janë tri parakushtet për stabilitet, fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme”.

“Prandaj secili njeri racional në Kosovë, kurrë nuk duhet të lodhet së treguari të vërtetën e së ngrituri zërin për njerëzit që humbëm si rezultat i politikave gjenocidale të Serbisë. Ne nuk jemi lodhur e nuk do të lodhemi kurrë së dëgjuari familjet e viktimave, sepse ata e tregojnë të vërtetën e Kosovës. Mirëpo jemi lodhur nga politikanë të papërgjegjshëm, të cilët tregojnë mosdurim ndaj së vërtetës e ndaj familjeve të viktimave, ndërkaq tolerancë ndaj politikave mohuese të Serbisë”.

“Për të gjithë ata që pyesin “Çfarë ka Kosova për t’i dhënë Serbisë si kompromis në dialog”, përgjigja jonë, njëzëri, duhet të jetë: Dëgjoni rrëfimet e familjeve të viktimave. Kosova nuk ka asgjë tjetër për të dhënë”, ka shkruar tutje Osmani. /Insajderi.com