Osmani, kandidatja më e votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë

Osmani, kandidatja më e votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë

Gara mes partive politike në Kosovë, në të njëjtën kohë është edhe garë mes kandidatëve që përfaqësojnë partitë politike, se cili nga ata merr vota më së shumti në zgjedhje.

Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, protagonistë kryesor për të qenë kandidatë më të votuar kanë qenë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Kadri Veseli, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

Në zgjedhjet e kaluara të vitit 2019 lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte thyer rekord duke marrë gjithsej 183.952 vota.

Por këtë rekord, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, e theu kolegia e tij nga lista e përbashkët garuese e Vetëvendosjes, Vjosa Osmani, e cila deri më tani sipas rezultateve preliminare ka arritur t’i marrë 206.570 vota.

Kujtojmë se procesi i numërimit të votave akoma nuk ka përfunduar zyrtarisht, si dhe akoma nuk janë numëruar votat e diasporës dhe ato me kusht.

Ndërsa Albin Kurti, i cili deri në këto zgjedhje e mbante rekordin e numrit të votave të fituara, në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk ka qenë pjesë e listës për shkak të masës së dënimit që është duke e vuajtur./Insajderi.com