Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve bilaterale gjatë qëndrimit në Japoni, është pritur në takim nga kryeministri japonez, Yoshihide Suga.
Ajo ka falënderuar kryeministrin Suga për mbështetjen ndaj Kosovës dhe ka potencuar se Japonia është partner strategjik.
Osmani, gjithashtu e ka falënderuar kryeministrin Suga për mbështetjen që ky shtet i ka dhënë Kosovës në fushën e shëndetësisë dhe mjedisit, teksa ka shfaqur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në sfera të tjera të interesit të përbashkët, sidomos për investime japoneze në Kosovë.
Në njoftimin e dërguar për media thuhet se,Osmani ka kërkuar mbështetjen e Japonisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, posaçërisht në procesin e njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Është biseduar edhe për mundësitë e shkëmbimit të studentëve në programe të ndryshme arsimore.
Presidentjs i ka bërë ftesë zyrtare Sugas që në një kohë të përshtatshme ta vizitojë Kosovën për ta forcuar edhe më tej partneritetin me shtetin japonez.
Osmani të premten në prag të ceremonisë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Tokio 2020, së bashku me liderë të tjerë botërorë është pritur edhe nga Perandori i Japonisë, Naruhito.
Presidentja Osmani ka falënderuar Perandorin Naruhito për mikpritjen dhe për organizimin e Lojërave Olimpike, duke i uruar popullit japonez prosperitet dhe shëndet.
Gjatë pritjes së organizuar nga Perandori Naruhito, Presidentja Osmani pati një bisedë të shkurtër edhe me Presidentin francez, Emmanuel Macron, Zonjën e Parë të SHBA-ve, Dr. Jill Biden si dhe me përfaqësues të tjerë nga disa vende të botës./Insajderi.com