Osmani kërkon nga mërgata t’i përgjigjet masivisht regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Osmani kërkon nga mërgata t’i përgjigjet masivisht regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga mërgata shqiptare e Maqedonisë së Veriut, t’i përgjigjet masivisht regjistrimit të popullsisë në këtë vend, njofton Insajderi.

Këtë kërkesë Osmani e shtroi pas takimit të zhvilluar me zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë Veriore, Artan Grubin.

Grubi e ka uruar Osmanin për suksesin në zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërsa të dy kanë vlerësuar raportet e mira ndërfqinjësore dhe kanë shprehur përkushtimin që ato të avancohen edhe më tej.

Tutje Grubi e ka njoftuar Osmani për ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni të Veriut dhe ka potencuar rëndësinë e përfshirjes sa më të madhe të mërgatës shqiptare.

Osmani ka mbështetur këtë proces, duke shtuar se përtej aspektit statistikor, ky regjistrim do të jetë përmbajtësor në avancimin e të drejtave qytetare të shqiptarëve.

Në takim u diskutua edhe për sfidat në menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe përpjekjeve të të dy shteteve për sigurimin e vaksinave anti-COVID, sipas komunikatës.

U përmend se ndërmjet të të dy shteteve deri tashti ekzistojnë 19 draft marrëveshje, të cilat do të mund të shqyrtohen me krijimin e institucioneve të reja në Kosovë. /Insajderi.com