Osmani kërkon të përshpejtohet procesi i zbardhjes së fatit të të pagjeturve

Osmani kërkon të përshpejtohet procesi i zbardhjes së fatit të të pagjeturve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka kërkuar përshpejtim të procesit të zbardhjes së fatit të të pagjeturve, njofton Insajderi.

Sipas saj, Serbia nuk po tregon gatishmëri për ta zbardhur fatin e këtyre personave, prandaj “bashkësia ndërkombëtare duhet ta rrisë presionin mbi Serbinë, që ajo të ofrojë informata për secilin person të zhdukur dhunshëm”.

“Procesi po shkon tepër ngadalë”, është shprehur Presidentja Osmani, në takim me drejtorin Rajonal të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropën dhe Azinë Qendrore, Martin Schuepp.

“Në këtë takim Presidentja Osmani e njoftoi Schuepp me përkushtimin e institucioneve të reja të Kosovës për zbardhjen sa më të shpejtë të fatit të 1639 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së Kosovës. ‘Për institucionet tona’, tha Presidentja Osmani, ‘zbardhja e fatit të tyre përbën jo vetëm prioritet politik, por edhe detyrim njerëzor”, prandaj ne nuk duam ta trajtojmë këtë proces vetëm si politik, por, mbi të gjitha madje, edhe si humanitar’”, thuhet në njoftim e Presidencës.

Sipas Presidentes Osmani, është detyrë e institucioneve që ta dëgjojnë zërin e familjeve të të zhdukurve, të bëhen zëri i tyre dhe ne po sigurohemi që të bëjmë gjithçka që familjet të trajtohen dinjitetshëm dhe që të marrin sa më shpejt që të jetë e mundur informata mbi fatin e më të dashurve të tyre.

Schuepp, ndërkaq, e ka njoftuar Presidenten Osmani për përpjekjet që kjo organizatë po i bën për të siguruar të dhëna për personat e zhdukur./Insajderi.com