Kanë mbërritur në Kosovë 27 bashkatdhetarë, të cilët i mbijetuan aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, përveç familjarëve, ata janë pritur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.
Përmes një komunikate për media, nga Zyra e Kryeministrit thonë se prijësit e institucioneve shprehën ngushëllime për jetët e humbura në aksidentin tragjik dhe të lënduarve u uruan shërim të shpejtë, duke i siguruar se do ta kenë përkujdesin institucional, përcjell Insajderi.
Presidentja Osmani tha se “në tragjedinë e Slavonski Brodit ne nuk i humbëm vetëm bashkatdhetarët tanë. Aty humbëm një copë të shpirtit tonë, një pjesë të asaj që është shtylla jonë e përbashkët e dhimbja jonë e përhershme: mërgimtarët”.
Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Osmani u shpreh mirënjohëse për ndihmën e pakursyeshme që kanë dhënë për menaxhimin e kësaj situate të rëndë, të gjitha institucionet shtetërore të Kroacisë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca iu shprehu ngushëllime familjarëve që humbën më të dashurit në aksidentin tragjik dhe u dëshiroi shërim sa më të shpejtë të lënduarve.
“Institucionet e vendit do të jenë pranë jush për të përballuar bashkërisht këto momente të vështira për të gjithë ne”, tha kryekuvendari Konjufca.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se për shqiptarët e mërguar, jeta është numërim ditësh deri te ardhja e radhës në atdhe.
“Pavarësisht se sa të mëdha janë distancat, ato zvogëlohen, se maten me zemër. Këtë të diel, rruga e gjatë nuk solli në atdhe një pjesë tonën të mërguar. Solli dhimbje për mbarë popullin. Këtë dhimbje sot e ndajmë bashkë dhe qëndrojmë të bashkuar në këtë tragjedi, si një familje e madhe që jemi”, u tha bashkatdhetarëve kryeministri Kurti.
Ai i siguroi se Qeveria do të përpiqet me të gjitha mundësitë që t’ua lehtësojë sadopak dhimbjet dhe pasojat nga aksidenti.
“Kthimi i bashkëqytetarëve nga Kroacia në Kosovë është bërë në koordinim të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë.
Qeveria e Kosovës ka organizuar transportimin dhe përcjelljen e bashkatdhetarëve nga aeroporti deri te familjet, në vendbanimet e tyre”, thuhet në komunikatën për media.
Ndryshe, një autobus me targa të Kosovës u aksidentua të dielën duke dalë jashtë rrugës në afërsi të Sllavonski Brodit në Kroaci duke shkaktuar vdekjen e dhjetë pasagjerëve, gjersa mbi 40 janë lënduar.
Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë dhe dy shoferë, ku njëri nga shoferët ka vdekur. Autobusi po udhëtonte në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.
Shoferit që po voziste në momentin tragjik, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./Insajderi.com