Osmani kujton masakrën e Lugishtës

Osmani kujton masakrën e Lugishtës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kujtuar martirët dhe dëshmorët e masakrës së Lugishtës së Hasit në 22 vjetorin e rënies së tyre, njofton Insajderi.

Osmani thotë se disa nga të vrarët janë konsideruar të zhdukur e më pas janë gjetur në varre masive në Has të Prizrenit.

“22-vjet më parë në Lugishtë të Hasit, Batalioni i Dytë i Brigadës së Motorizuar 549 të Ushtrisë Jugosllave, mizorinë e vetë e tregoi duke ekzekutuar 40 burra, gra e fëmijë. Përgjatë luftimeve ranë edhe 14 dëshmorë të UÇK-së”.

“Disa nga të vrarët janë konsideruar të zhdukur e më pas janë gjetur në varre masive në Has. Pas identifikimit në shtator të vitit 1999 janë varrosur në varrezat e dëshmorëve e martirëve në këtë fshat”, thotë Osmani përmes këtij postimi.

Ajo thekson se për më shumë se dy dekada autorët mbetën të pandëshkuar, ndërsa thotë se banorët e këtij fshati do të gjejnë paqen vetëm atëherë kur autorët të vihen para drejtësisë.

“Përveç 300- shtëpive të dëmtuara, forcat serbe dëmtuan edhe objekte të trashëgimisë shpirtërore. Të vrarët, dëmet materiale dhe të mbijetuarit e Masakrës së Lugishtës përbëjnë fakte të cilat duhet të jenë në funksion të drejtësisë për identifikimin e autorëve të krimit montstruoz. Më shumë se dy dekada, asnjë përgjegjësi nga askush. Ndaj, banorët e këtij fshati do të gjejnë paqen kur autorët të vihen para drejtësisë. Një mision i yni që nuk do të ndalojë asnjëherë! Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Lugishtës”, përfundon presidentja Osmani./Insajderi.com