Osmani, Kurti e Konjufca nderojnë martirët e Prishtinës, iu kërkohet rregullimi i varreve të dëshmorëve

Osmani, Kurti e Konjufca nderojnë martirët e Prishtinës, iu kërkohet rregullimi i varreve të dëshmorëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te varrezat e martirëve dhe dëshmorëve të Prishtinës.

Derisa po nderonin dëshmorët e kryeqytetit, vëllau i njërit prej dëshmorëve i priti krerët institucionalë, duke thënë se Qeveritë e kaluara kanë premtuar se do të rregullojnë të gjitha varret e dëshmorëve, por që i njëjti nuk mori asnjë përgjigje nga liderët shtetërorë nga të cilët edhe i kishte drejtuar shpresat për këtë çështje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Dita e Dëshmorëve të Prishtinës është dita për ta nderuar sakrificën sublime që dhanë të gjithë të rënët e këtij rajoni.

“Sot është dita e dëshmorëve të Prishtinës, njëra prej ditëve që të gjithë bëhemi bashkë për ta nderuar sakrificën sublime që të gjithë dëshmorët e këtij rajoni e bënë, në mënyrë që ta gëzojmë lirinë. Dita, kur duhet t’u flasim brezave të ardhshëm për trimërinë e dëshmorëve të Kosovës, dëshmorëve si pjesë e luftës tonë çlirimtare dhe si pjesë e UÇK-së”.

“Ata ranë duke e mbrojtur Kosovën, ranë duke treguar se sakrifica për liri, sakrifica për atdhe është dashuria me sublime që mund ta ketë një njeri”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se dëshmorët e kryeqytetit luftuan për lirinë dhe ranë heroikisht që të ngritet kauza e shqiptarëve dhe më pas të vijë çlirimi, liria dhe pavarësia.

“Bëmë nderime tek varret e dëshmorëve të kryeqytetit, të cilët luftuan për liri dhe ranë heroikisht që të ngritet kauza jonë dhe më pas të vijë çlirimi, liria dhe pavarësia. Andaj, ne kthehemi dhe rikthehemi në këto vende në mënyrë që t’i kujtojmë ata dhe t’ia përkujtojmë vetes çmimin e madh që kemi paguar me gjakun e popullit për lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot”.

“Por, në të njëjtën kohë për të përkujtuar amanetet dhe idealet e tyre për progres, barazi, mirëqenie që nuk e përjashton asnjë njeri”, ka thënë Kurti.

Derisa, Glauk Konjufca, ka thënë se sakrifica e tyre qëndron e palëkundur në themelet e shtetit.

“Pa sakrificën dhe rënien dëshmorëve nuk do të ishte e mundshme liria e popullit tonë dhe as shtetësia dhe as pavarësia e vendit tonë. Kështu që, sa të ketë gjallë komb shqiptar ata do të nderohen dhe do të respektohen gjithmonë. Mendoj se pjesë më e lavdishme e historisë sonë të re të Kosovës është lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, martirët dhe dëshmorët e rënë”, ka thënë Konjufca.

Përveç deklaratave të tyre lidhur me aktivitetin e sotëm, Kurti e Osmani nuk u prononcuan për asnjë zhvillim tjetër politik.

Madje, për sot raportohet se Qeveria me në krye Albin Kurtin do të mblidhet sot nga ora 15:00, për të diskutuar për masat e reja anti-COVID të cilat aktualisht janë të vlefshme vetëm deri më 18 prill.

Ndryshe, pas këtyre nderimeve, Osmani dhe Konjufca do të bëjnë homazhe në kompleksin memorial në fshatin Makoc.

Më 17,18,19, 20 dhe 21 prillit të vitit 1999, për shumë familje dhe qytetarë të trevave të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugën e shpëtimit përmes fshatrave Koliq, Grashticë, Makoc e Llukar, për shumëkënd u shndërruan në ditë tmerri e krimi.

Ushtria policia dhe paramilitarët serbë në pritën që u kishin bërë, vranë dhe masakruan më se 124 qytetarë, në mesin e tyre fëmijë, vajza, djem, gra e pleq. /Insajderi.com