Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në mes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Kosovës " />

Osmani: Marrëveshja me MCC-në garanton rolin kyç të grave në sektorin e energjisë

Osmani: Marrëveshja me MCC-në garanton rolin kyç të grave në sektorin e energjisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në mes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Kosovës për energjinë, do të garantojë në stabilitetin dhe fleksibilitetin e energjisë.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se ky investim do të garantojë të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rolin kyç.

“Këto projekte do të kontribuojnë në garantimin e stabilitetit dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik të Kosovës gjersa përgatitemi për tranzicionin energjetik dhe integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Ky investim do të garantojë po ashtu një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë”, shkroi Osmani.

Osmani tha se kjo marrëveshje ka konfirmuar edhe njëherë partneritetin e jashtëzakonshëm në mes Kosovës dhe SHBA-ve.

Dje gjatë ditës së mërkurë është nënshkruar Marrëveshja për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington.

Para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, shefja e MCC-së, Alice Albright ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.

Tutje, ajo tha se 4 nga 10 shtëpi në Kosovë përballen me mungesën e energjisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para të pranishmëve ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj si dhe ka theksuar se investimet e tilla do të jenë trashëgimia më e mirë e gjeneratave të ardhshme të Kosovës.

Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se çdo monedhë për këtë projekt do të shkojë për një kauzë të rëndësishme.

Tutje, Kurti shtoi se deri në fund të këtij viti do të bëhet ankandi i parë për energji solare në Kosovë si dhe do të punohet që të punësohen gratë në sektorin e energjisë.

Marrëveshja e cila u nënshkrua në Uashington, pritet të prezantohet sot në Kuvendin e Kosovës për tu ratifikuar.

Programi Kompakt i nënshkruar në mes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Kosovës, përfshinë tri projekte të rëndësishme në sektorin e rëndësishëm.

Nga një njoftim nga zyra e presidencës thuhet se kjo marrëveshje parasheh investime në infrastrukturën për ruajtje të energjisë, zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektorin e energjisë si dhe, projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Nënshkrimi i Marrëveshjes me MCC-në, vije pas përmbylljes së negociatave në muajin maj të këtij viti dhe pas konfirmimit me votë unanime të Programit Kompakt nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së./Insajderi.com