Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu dhe dy vajzat e tyre, kanë vendosur lule te memoriali i Beau Biden – të birit të presidentit amerikan, Joe Biden, me rastin e përvjetorit të vdekjes së tij, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në Facebook, Osmani thotë se Beau shërbeu në Kosovë, larg familjes dhe vendit të tij, për të ndihmuar shtetndërtimin e Kosovës.
“Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Beau Biden, iu bashkuam përkujtimeve të familjes Biden për të. Beau shërbeu në Kosovë, larg familjes dhe vendit të tij, për ta ndihmuar shtetndërtimin në Kosovë dhe funksionimin dhe sundimin e ligjit në vendin tonë”, ka shkruar ajo.
“Prandaj, sot vendosëm lule pranë memorialit dedikuar atij, në përkujtim të shërbimit të kryer prej tij për vendin tonë, si dhe të gjithë atyre burrave e grave që qëndruan pranë nesh në kohë sfiduese, duke i shërbyer paqes e shtetndërtimit në Kosovë”, thuhet më tej në shkrimin e Osmanit. /Insajderi.com