Osmani mohon akuzat se bleu tokë 100 mijë euro në kohë pandemie: Deklarimi i pasurisë është i vitit 2019

Osmani mohon akuzat se bleu tokë 100 mijë euro në kohë pandemie: Deklarimi i pasurisë është i vitit 2019

Vjosa Osmani e ka cilësuar propagandë të disa mediave e disa “analistëve”, lajmin se ajo ka blerë tokë në vlerë 100 mijë euro në kohë pandemie, njofton Insajderi.

Osmani po i referohej disa lajmeve që u raportuan për të, pas publikimeve të raportit të pasurisë nga zyrtarët publikë nga Agjencia Anti-Korrupsion, ku figuron se ajo ka parcelë në vlerë prej 100 mijë euro.

“Nuk është blerë tokë në kohë pandemie. Deklarimi i pasurisë është i viti 2019. Pas njëzet vjet pune në Kosovë, Shtete të Bashkuara e në Australi, si dhe me kredi të shumta, unë e bashkëshorti im kemi arritur të kursejmë për të kontraktuar një shtëpi, e cila akoma është në ndërtim e sipër”, ka shpjeguar Osmani.

“Unë, bashkëshorti dhe dy vajzat tona jetojmë në një banesë njëdhomëshe në Prishtinë që nga viti 2012 kur kemi krijuar familjen tonë, banesë kjo e cila as për së afërmi nuk plotëson kushtet bazike për një familje katër anëtarësh”, arsyetohet kryeparlamentarja.

“Pra 20 vjet pune brenda e jashtë vendit si dhe kredi, për të kursyer për shtepinë e cila akoma nuk është ndërtuar por me ligj kërkohet të deklarohet vendi ku ajo do të ndërtohet si parcelë”.

Osmani ka kërkuar “nga të gjitha mediat që ta largojnë këtë shpifje nga portalet e televizionet e tyre dhe të publikojnë demantin tim”.

Gjithashtu, “kërkoj nga analistët që më quajtën kriminele, hajn, abuzuese e çka jo tjetër, të tërheqin shpifjen, të kërkojnë falje dhe të publikojnë demantin”.

Ajo ka paralajmëruar edhe padi për ata që, sipas saj, shpifën për të dhe gjithashtu ka thënë se me këtë qasje “duke i futur të gjithë në një thes”, “u hapni rrugë e po i arsyetoni, ata që kinse i kritikoni për krim e korrupsion”./Insajderi.com