Osmani: Moslejimi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës përbën mohim të qasjes në drejtësi për qytetarët e Kosovës

Osmani: Moslejimi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës përbën mohim të qasjes në drejtësi për qytetarët e Kosovës

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me rastin e 70-vjetorit të Konvertës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, njofton Insajderi.

Osmani thotë se moslejimi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës përbën mohim të qasjes në drejtësi për qytetarët e Kosovës.

Ajo përgëzoi Këshillin e Evropës për këtë organizim, duke potencuar rëndësinë e angazhimit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Me  tendencat gjithnjë̈ e në rritje për  të vënë në pikëpyetje vetë themelet e kësaj Konvente, ngjarje dhe konferenca të tilla na  ofrojnë një mundësi të shkëlqyeshme për të reflektuar mbi atë se sa larg kemi arritur dhe çfarë duhet të prioritizojmë në rrugëtimin tonë tutje për ta  garantuar mbrojtjen e të  drejtave të  njeriut”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.

“Edhe pse mbetet i pakontestueshëm fakti që kjo Konventë paraqet dokumentin më të rëndësishëm e më të suksesshëm deri me tash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Evropë, është̈ fatkeqësi që Kosovës nuk i lejohet anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Në Kosovë, Konventa është e zbatueshme drejtpërdrejt me nenin 22 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Mirëpo, është vërtetë jo e drejtë që Kosova ende nuk është anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ngaqë një gjë e tillë përbën në vete shkelje të të drejtave të njeriut përmes mohimit të të drejtës për qasje në drejtësi për qytetarët e Kosovës”, ka theksuar tutje ajo.

Në konferencën ndërkombëtare e cila po i vazhdon punimet, pjesëmarrës janë edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, udhëheqësi i zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Poëer, përfaqësues të lartë të Këshillit të Evropës, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut etj. /Insajderi.com