
Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, është takuar me Presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Andreas Aebi, me të cilin diskutuan rreth thellimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës e Zvicrës, njofton Insajderi.
”Isha e nderuar sot të pritem nga Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, z.Andreas Aebi, për të diskutuar thellimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Zvicrës”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani ka cekur temat të cilat i kanë diskutuar gjatë takimit të cilin e ka quajtur përmbajtësor.
“Prioritetet e institucioneve të ardhshme, menaxhimi i pandemisë e sigurimi i vaksinave, potenciali i jashtëzakonshëm i mërgatës sonë si dhe bashkëpunimi ndër-parlamentar e ekonomik”.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme të Zvicrës.
“Mirënjohje e thellë për mbështetjen e deritanishme nga Zvicra e poashtu optimizëm i thellë për rrugën tonë përpara”, ka shkruar ajo. /Insajderi.com