Osmani në Ditën Ndërkombëtare të të pagjetuve: Sot kur Kosova negocion me shtetin që kreu veprime gjenocidale për Marrëveshjen Përfundimtare, para nesh shfaqet portreti i secilit të zhdukur

Osmani në Ditën Ndërkombëtare të të pagjetuve: Sot kur Kosova negocion me shtetin që kreu veprime gjenocidale për Marrëveshjen Përfundimtare, para nesh shfaqet portreti i secilit të zhdukur

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, ka thënë se kjo ditë është në funksion të ngritjes së zërit për të zbardhur fatin e të pagjeturve, fati i të cilëve përbën shqetësim të madh për shoqërinë, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka shtuar se edhe pas dy dekadave që nga lufta e fundit në Kosovë, të zhdukurit me dhunë mbesin plaga më e madhe dhe më e dhimbshme e shtetit.

“Janë 1641 fate jetësore për të cilat institucionet nuk arritën të bëjnë asgjë përgjatë këtyre 21 vjetëve. Sot, pesha e fatit të tyre rëndon mbi secilin politikan të Kosovës. Mbi ne bie përgjegjësia e zbardhjes së fatit të secilit, ndërkaq pesha e fajit bie mbi shtetin e Serbisë”

“Sot kur Kosova zhvillon negociata me këtë shtet që kreu veprime gjenocidale, për të arritur atë që po quhet Marrëveshje Përfundimtare, para nesh shfaqet portreti i secilit të zhdukur. Sot ne nuk e kemi një përgjigje përfundimtare për familjarët e tyre, siç nuk e kemi as argumentin kryesor: si mund të ketë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë teksa nuk e dimë ku i kemi njerëzit tanë, të cilët ajo i mori dhunshëm! Rrjedhimisht duket e pamundshme dhe anakronike një marrëveshje përfundimtare pa zbardhje të fatit të të zhdukurve dhe pa adresim të fajit ndaj shtetit serb. Paqe nuk do të ketë përderisa secila nënë e baba nuk e gjen fëmijën e vet e përderisa secili fëmijë nuk e gjen prindin e vet të zhdukur. Paqja ndër-shtetërore e ka parakusht paqen shpirtërore të 1641 familjeve në Kosovë!”, ka shtuar tutje ajo. /Insajderi.com