Osmani: Në Kosovë s’ka asnjë shqiptar që është antiamerikan

Osmani: Në Kosovë s’ka asnjë shqiptar që është antiamerikan

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës ka folur rreth diskutimeve që ajo ka pasur me emisarin amerikan për dialogun Richard Grenell, njofton Insajderi.

Vjosa Osmani në Prime Time në Kanal10 ka thënë se obligimet e marra nga Uashingtoni janë të njëanshme, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, pasi ato kanë nënshkruar marrëveshje me SHBA.

Ajo ka folur edhe me takimet që ka pasur me ish-ambasadorin Richard Grenell.

“Me Grenell kam pasur takime dhe i kam dhënë shumë ide. Ne kemi diskutuar çdo ditë për ide të ndryshme. SHBA na kanë shpëtuar nga shfarosja. Në Kosovë nuk ka asnjë shqiptar që është antiamerikan.

Osmani ka folur edhe për seancën ku do të raportojë kryeministri Avdullah Hoti për takimet në Uashington dhe Bruksel.

“Kuvendi është i qartë sa i përket vijave të kuqe. Nuk mund të bisedohen çështje që rrezikojnë Kosovën dhe për tema që tashmë janë të përmbyllura”, është shprehur ajo.

Sipas saj, koalicioni LDK-AAK është i ndërtuar në bazë të interesave individuale, andaj dëmet që do t’i shkaktohen vendit do të jenë afatgjata.

Teksa ka folur rreth ushtrimit të detyrës së presidentit pas skadimit të mandatit të Hashim Thaçit, kryetarja e Kuvendit tha se këtë e parasheh Kushtetuta.

“E kam për detyrë, pasi që ashtu e parasheh Kushtetuta”, tha ajo, duke shtuar se nuk mund të ketë emra ‘nga jashtë’ për postin e presidentit./Insajderi.com