Osmani në Samitin Brdo-Brijun: Nga Serbia kërkojmë t’i dorëzojë para drejtësisë kriminelët e luftës

Osmani në Samitin Brdo-Brijun: Nga Serbia kërkojmë t’i dorëzojë para drejtësisë kriminelët e luftës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj në Samitin e presidentëve të rajonit në Brdo-Brijun, ka thënë se Serbia duhet të sjellë para drejëtsisë autorët e krimeve kundër civilëve të pafajshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, njofton Insajderi.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani në këtë Samit ka theksuar se krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit janë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Ndër të tjera, presidentja e vendit ka folur edhe për perspektivën e Bashkimit Evropian dhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon.

Ajo ka potencuar se nuk mund të kalohet në kapitujt vijues përpara se të lexohen dhe kuptohen plotësisht kapitujt e mëparshëm. Presidentja Osmani ka theksuar se është e nevojshme pranimi i së vërtetës për atë që ka ndodhur në rajon.

“Kur flasim për atë se çfarë ndodhi në të vërtetë me viktimat, të mbijetuarit, të zhdukurit nga luftërat. Dhe më e rëndësishmja, kur flasim mbi atë se pse nuk janë prapa hekurave autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit.  Përtej detyrës sime si Presidente e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është detyrë morale dhe njerëzore e imja të flas të vërtetën mbi atë se çfarë ka ndodhur në vendin tonë.  Krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.  Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, është shprehur ajo, thuhet në komunikatë.

Sipas Osmanit, në vend të përgjegjësisë po ndodh mohimi dhe revizionizmi historik i asaj që ka ndodhur gjatë viteve të 90-ta në rajon.

“Lidershipi i përgjegjshëm dhe i guximshëm kërkon refuzim të vendosur të një veprimi të tillë të ndyrë”./Insajderi.com