Osmani në takim me Stoltenbergun: E ardhmja e Kosovës është në NATO

Osmani në takim me Stoltenbergun: E ardhmja e Kosovës është në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten ka pritur në takim sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, njofton Insajderi.

Siç njofton Presidenca, në takim Osmani ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, NATO dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Ne po punojmë me përkushtim që të anëtarësohemi në NATO. Kemi nevojë për mbështetjen e kësaj organizate edhe me anëtarët e NATO-s, të cilët nuk e njohin Kosovën”, është shprehur ajo, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se presidentja e ka falënderuar Stoltenbergun për “rolin vendimtar të Aleancës Veri-Atlantike  në lirinë e Kosovës, por edhe për kontributin e tashëm për një ambient të qetë e të sigurt, nëpërmjet trupave të KFOR-it”.

“Në këtë takim, Presidentja Osmani ka falënderuar Stoltenbergun edhe për mbështetjen e KFOR-it për trajnimin e FSK-së, e cila procesin e  tranzicionit në Ushtri po e kryen konform standardeve të NATO-s, duke qenë e denjë për t`u bërë pjesë e kësaj organizate. Zonja Osmani ka përmendur edhe mbështetjen e KFOR-it dhënë komunave në përballje me pandeminë Covid-19”.

Ndërkaq në kontekstin e sigurisë rajonale, Presidenca njofton se Osmani ka përmendur edhe rrezikun nga ndikimi rus në Ballkan, ndaj e ka konsideruar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë tejet të rëndësishëm./Insajderi.com