
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim koordinatoren për Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, si dhe udhëheqësit e të gjitha agjencive të OKB-së që veprojnë në vendin tonë. Aty pos tjerash u diskutua edhe sigurimi i vaksinave anti-COVID.
“Padyshim se prioriteti kryesor tani është sigurimi i vaksinës për qytetarët tanë dhe menaxhimi sa më i mirë i pandemisë”, tha Osmani.
Ndërsa, Richardson, në emër të të gjithë agjencive të Kombeve të Bashkuara, e përgëzoi Presidenten Osmani për marrjen e detyrës, duke shprehur gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer të ndërtuar tashmë ndër vite.
Presidentja, i përgëzoi të gjitha Agjencitë për punën e bërë dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në përmirësimin e situatës socio-ekonomike në vend, si dhe adresimin e shumë çështjeve të cilat jo çdo herë e kanë marrë fokusin e duhur publik.
“Dua të potencoj që institucionet e reja në vend do të promovojnë një mentalitet të ri udhëheqës, i cili ka në fokus përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, avancimin e barazisë gjinore, garantimin e kohezionit social, si dhe mbrojtjen e mjedisit si parakusht edhe për mbrojtjen e shëndetit tonë”, pohoi presidentja.
Palët u dakorduan për bashkëpunim të vazhdueshëm. /Insajderi.com