Osmani në takim me zv.presidentin e Zvicrës, diskutojnë për thellim të bashkëpunimit

Osmani në takim me zv.presidentin e Zvicrës, diskutojnë për thellim të bashkëpunimit

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të mërkurën me zëvendëspresidentin e Zvicrës, Ignazio Cassis, njofton Insajderi.

Në një postim në Twitter, Cassis ka njoftuar për takimin me Osmanin, ndërsa ka shtuar se Kosova është një nga shtetet prioritet të Zvicrës sa i përket bashkëpunimit të jashtëm.

“I lumtur të flas me u.d. e presidentes Vjosa Osmani për angazhimin e Zvicrës në Kosovë, diasporën e rëndësishme të Kosovës në Zvicër dhe çështjet rajonale. Kosova është një nga shtetet prioritare të Zvicrës në bashkëpunim ndërkombëtar”, ka shkruar ai.

Gjatë vizitës së saj në Zvicër, Osmani është takuar edhe me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Andreas Aebi, me të cilin ka diskutuar për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve./Insajderi.com