Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se institucionet e sigurisë të Kosovës janë të përgatitura për të reaguar në situata të ndonjë sulmi.
Ndërsa thekson se pavarësisht se Policia e Kosovës me të gjitha njësitë e saj, e deri te strukturat inteligjente dhe Ushtria e Kosovës janë të gatshme për veprim – nuk e mohon kërkesën për përkrahje nga partnerët e Kosovës.
“Nëse Serbisë i shkon mendja që ta sulmojë Kosovën, ata e dinë shumë mirë që nuk përballen vetëm me Ushtrinë dhe Policinë e Kosovës, por përballen edhe me ushtrinë e NATO-s, sepse ushtria e NATO-s ka mandat të plotë që në raste të tilla ta mbrojë çdo cep të kufijve të Republikës së Kosovës, sidomos ato që janë në veri”, deklaroi Osmani për emisionin Rubikon.
E para e shtetit po ashtu tha se i ka informuar partneret e shtetit tonë se në qoftë se Kosova sulmohet, në rast të sulmit në nivel agresioni dhe lufte, natyrisht që FSK ka mandat të plotë të veprojë në çdo cep të Republikës së Kosovës, prandaj është kushtetuta dhe janë ligjet ato që janë mbi gjithçka./Insajderi.com