Osmani para deputetëve shqiptarë: Ju jemi mirënjohës përjetë

Osmani para deputetëve shqiptarë: Ju jemi mirënjohës përjetë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, iu është drejtuar deputetëve duke thënë se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës përjetë shtetit shqiptar, njofton Insajderi.

Osmani ka folur për sfidat historike që kanë kaluar Kosova dhe Shqipëria, duke dhënë kështu mesazhe edhe për të ardhmen e të dy vendeve.

“Jam shumë e lumtur që sot më është dhënë mundësia që nga Kuvendi i Shqipërisë tu drejtohem të zgjedhurve të popullit dhe bashkëkombësve të mi anë e mban botës. Është nder i madh që të ju drejtohem dhe të ju flas sikur njeriu familjes së vet me të cilën kanë ndarë aq shumë histori, këmbëngulje, dhimbje e mall të pasosur, por së cilës i ka dhuruar dhe ka marr po aq shumë dashuri”.

“Ne ju jemi mirënjohës përjetë”, deklaroi ajo.

Kryeparlamentarja Osmani para të zgjedhurve të popullit të Shipërisë foli edhe për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Sot dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është ende i pa mbyllur e ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit tonë, rregullimin kushtetues”.

“Kosova nuk mund që ta shpërblejë më Serbinë me territorin e saj e as të bëj koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje, e të dënohet e jo më të shpërblehet”, ka thënë ajo./Insajderi.com