Osmani nga Turqia bën thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe liberalizim të vizave

Osmani nga Turqia bën thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe liberalizim të vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar rreth pjesëmarrjes së saj në Samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, ku nikoqir ishte presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se gjatë fjalës së saj para përfaqësuesve të vendeve anëtare të këtij forumi, ka folur mbi sfidat e rajonit, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit rajonal.

Ajo më tej njoftoi se edhe gjatë këtij samiti u ka bërë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta njohin sa më parë.

“Ndër të tjera, kam theksuar se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por edhe i mundur, nëse mbështetet në njohjen dhe respektimin e njëri-tjetrit. Prandaj u bëra edhe një herë thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase ai është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në plotni sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tone”, ka thënë ajo.

Osmani më tej tha se sikurse vendi që po lëvizë shpejt drejt integrimit, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e parashtruara, edhe BE duhet ta vlerësojë angazhimin e qytetarëve të Kosovës dhe ta mbajë premtimin e liberalizimit të vizave. /Insajderi.com