Osmani nuk e përjashton LDK-në, por alternativë e pëlqyer është Vetëvendosje

Osmani nuk e përjashton LDK-në, por alternativë e pëlqyer është Vetëvendosje

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se iniciativa e re politike të cilën ajo është duke e menduar do të jetë vetëm angazhim i përkohshëm, njofton Insajderi.

Ajo ka thënë se “edhe pse është përjashtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, megjithatë, rikthimi në këtë parti nuk është i pamundur”.

Tutje ajo ka kritikuar LDK-në duke thënë se është përjashtuar nga ata që “s’kanë mbrojtur parimet e LDK-së”.

“Unë jam përjashtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, më 21 qershor. Ky është realiteti, të cilin shumë njerëz po tentojnë ta relativizojnë. Por, e vërteta është kjo. Është e vetmja e vërtetë dhe nuk ka të vërtetë tjetër. Në daç quaje përjashtim ose lirim nga detyra apo çka të duash. Është largim. Më kanë larguar, sepse nuk e duan kontributin tim. Më kanë larguar, sepse nuk e duan qëndrimin tim, nuk i duan idetë e mia, nuk e duan prezencën time. Në fakt, ato i donin vetëm në kohë zgjedhjesh, por tash nuk po i duan më. Kështu që ka qenë vendim i tyre që të vazhdojnë rrugën që e kanë zgjedhur, që është rrugë në kundërshtim me vullnetin qytetar të 6 tetorit. Kanë zgjedhur rrugë tjetër dhe dëshirojnë ta ecin pa mua. Është rrugë e zgjedhur nga ana e tyre”, ka thënë ajo në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Osmani më pas ka përsëritur qëndrimin e saj se nuk synon të kalojë në asnjë nga subjektet tjera aktuale. Ka shtuar se është vetëm në “fazën e diskutimeve të ideve se si do të mund të funksiononte një iniciativë e re”.

“Unë do të pres të shoh se çka do të ndodhë në LDK përgjatë këtyre viteve. Në qoftëse aty vërtet ka një lëvizje për reformim, i cili i sjell në pah njerëzit, të cilët e mbajnë fjalën publike, kanë përgjegjësi për fjalën publike, nuk përzihen me parti, të cilat janë shquar për krim e korrupsion, por janë vërtet të interesuar që nëpërmjet qeverisjes së pastër dhe qeverisjes vetëm me partnerë të tjerë të pastër ta bëjnë Kosovën shtet ku ka shpresë, sidomos për rininë tonë, atëherë natyrisht që unë do të rikthehem. Prandaj, edhe unë angazhimin në këto zgjedhje që mund të vijnë së shpejti, e shoh si një lloj angazhimi të përkohshëm, dhe është edhe një votë edhe për reformimin e LDK-së, sepse do të jetë një mesazh që LDK-ja vërtet duhet të reformohet, duhet të ndryshojë, duhet të hapet për njerëz të cilët e mbajnë fjalën dhe jo të konsiderohet se, ajo çka ka ndodhur prej 6 tetorit e tutje është normalitet”, ka deklaruar ajo.

“Prandaj, edhe po e them, ky për mua është një angazhim i përkohshëm me qëllim që unë t’i ndihmoj nga jashtë, të tjerët të ndihmojnë nga brenda e LDK-ja t’u rikthehet vlerave të saj të vërteta”, ka shtuar ish-nënkryetarja e LDK-së.

Osmani ka thënë se iniciativa që mund të formohet aktualisht e sheh si partner të vetëm Lëvizjen Vetëvendosje.

Osmani ishte përjashtuar nga pozitat udhëheqëse në LDK pas qëndrimit kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe kundër formimit të Qeverisë Hoti./Insajderi.com